Liverpuli i bëri dhuratë vetes në ditën e “Kutive pa dhurata”

Asnjë skuadër nuk ka pasur një epërsi të tillë, prej 13 pikësh, në krye të Premier Ligës, siç e ka udhëheqësja e këtij sezoni. Liverpuli zgjodhi pikërisht stadiumin e Leisterit për të treguar sërish pretendimet e tij për të fituar titullin, më në fund pas 30 vjetësh, dhe me fitoren 4-0 ia arriti qëllimit. Gjithçka që ndodhi në atë stadium, rezultati dhe paraqitja e kryesuesve, ishte çarmatosëse për rivalët që duan t’i ndalin turrin. Natyrisht, Mançester Siti e ka potencialin për titullin, por diferenca tani duket e pakapshme.

Që nga vërshëllima e parë e gjyqtarit, e deri në fund, Liverpuli bëri atë që deshi, duke mbajtur topin 59 për qind, duke gjuajtur 15 herë drejt portës (ndaj 3 të vendasve) dhe 6 herë në kuadrat (0 Leisteri). Kornet ishin 8-2, ndërsa rezultati u vendos pas golave të Roberto Firminos, Xhejms Milnerit me penallti, sërish Roberto Firminos dhe Trent Aleksandër-Arnold. Ky i fundit, një mbrojtës krahu, ka 20 asistë që nga fillimi i sezonit të kaluar, më shumë se çdo lojtar tjetër i Premier Ligës.

Liverpuli kryeson Premier Ligën me 52 pikë në 18 ndeshje, ndaj 39 të Leisterit (19 ndeshje) dhe 38 të Mançester Sitit. Që nga fillimi i sezonit të kaluar, skuadra e Jurgen Klopit ka humbur vetëm një ndeshje nga 56, pikërisht 1-2 në fushën e Sitit. Pritja 30-vjeçare për titull duket se po merr fund.

Sfidanti.al