Liverpuli dominon derbin dhe fiton, Everton rrezikon rënien!

Sezonin e ardhshëm ndoshta nuk do të ketë derbi në qytetin e Bitëllsave, në brigjet e lumit Mersej dhe të Detit të Irlandës. Një Liverpul-Everton është një nga simbolet e futbollit anglez, që ka luajtur 240 “akte” deri tani, dhe që është i pandërprerë që nga viti 1962, veçse mund të mos jetë më. Evertoni rrezikon rënien nga Premier Liga pas humbjes në “Anfild”, duke zbritur për herë të parë në një nga 3 vendet e fundit. Ndëshkuesi këtë herë nuk ishte një nga emrat e shkëlqyer të të kuqve të trajnerit Jurgen Klop, por një “hero” thuajse i harruar, Divok Origi. Sulmuesi belg hyri në pjesën e dytë, në minutën e 60-të në vend të Keitasë, dhe fillimisht ndihmoi Andi Robertsonin të shënonte në 65’, e pastaj shënoi në minutat e fundit. Origi edhe më parë e kishte bërë këtë gjë në derbi. Liverpuli dominoi totalisht ndeshjen, edhe pse nuk pati futbollin e rrjedhshëm që i dha sukseset e bujshme ndaj Man. Sitit në Kupën e Anglisë dhe kundër Man. Junajtidit në kampionat. Të kuqtë mbajtën 83 për qind topin (!!!), patën 18 gjuajtje drejt portës ndaj 9 të bluve, dhe 4 në kuadrat ndaj 1 të evertonasve. Kornet ishin 13-1! Golat erdhën vonë, por gjithçka ishte e merituar dhe ekipi i Klopit ka 79 pikë, një më pak sesa Siti kur duhen edhe 5 javë për t’u mbyllur kampionati.

Sfidanti.al