Në një klasike europiane nuk mund të pretendosh patjetër të triumfosh me një rezultat të thellë, por ka ndeshje kur mbetesh keq edhe nëse i fiton ngushtë. Kështu mund të ndihet Liverpuli me fitoren 3-2 ndaj Milanit në “Anfild”, edhe pse u arrit synimi bazë, marrja e 3 pikëve në nisje të fazës së grupeve në Champions. Nëse shikon statistikat, kupton diferencën në lojë, pavarësisht emrit të madh të italianëve dhe formës së tyre të mirë në Serinë A. Liverpuli mbajti topin 61 për qind ndaj 39, gjuajti 23 herë drejt portës kundrejt 7 të Milanit, pati 8 gjuajtje në kuadrat me kuqezinjtë që patën 4, ndërsa kornet ishin 15-2 për të kuqtë! Diferencë më e madhe në një klasike nuk mund të kishte.
Gjithsesi, Liverpuli pagoi gabimet e bëra, ndoshta edhe zgjedhjet e trajnerit Jurgen Klop, që la në stol Van Dajkun e Sadio Manenë, si dhe Firminon. Ish-lojtari i Skocisë, Pat Nevin, analist për BBC-në, tha se “vërtetë Mançester Siti shënoi 6 gola (ndaj Lajpcigut), por edhe Liverpuli mund të kishte shënuar fare mirë 6”. Natyrisht, Milani u përpoq në minutat e fundit, duke u hedhur në sulm me shumë lojtarë, por nuk e krijoi dot rastin për të barazuar. Autogoli i Tomorit i dha avantazhin 1-0 të kuqve, Ante Rebiç e Brahim Diaz përmbysën shifrat në fund të pjesës së parë, por Salah (49’) dhe Henderson në 69’ bënë përmbysjen e dytë. Me Atletikon e Madridit dhe Porton që barazuan 0-0 në “Uanda Metropolitano”, Liverpuli kryeson grupin B.
Sfidanti.al