Mungesat janë të pakta, por shqetësimet jo të vogla. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, e shpalli listën e lojtarëve për 3 ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës në shtator, dhe shumica e emrave kryesorë janë aty, por ka edhe mungesa, si dhe dyshime. Të dëmtuar janë Lenjani e Veseli, ndërsa jashtë është lënë Ajeti. Portierët kryesorë, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha nuk po luajnë në ekipet e tyre në Serinë A, po ashtu si Marash Kumbulla.
Gjithsesi, në grumbullim pritet të jenë 27 futbollistë të rëndësishëm, mes të cilëve edhe debutuesi Ernest Muçi, që është marrë nga ekipi Shpresa. Çepele e Mihaj, ndërkaq, mund të quhen zgjedhje të Rejës në vend të Ajetit. Italiani mund të jetë i kënaqur me formën e mjaft mesfushorëve që po aktivizohen si Abrashi, Gjasula apo Çekiçi. Po ashtu, Qazim Laçi, kapiten i Ajasios në ligën e dytë franceze, që ka shënuar edhe gola këtë sezon.
Sidoqoftë, kënaqësia kryesore ka të bëjë me sulmuesit. Sokol Cikalleshi dhe Rej Manaj kanë gjetur rrugën e golit disa herë. Për fat të keq, Nedim Bajrami nuk është përfshirë në listë, sepse ende nuk është dhënë vendimi i KAS-it për gjyqin e Shqipërisë me FIFA-n. Kombëtarja nis grumbullimin këtë të diel në Varshavë, ndërsa do të ketë tri ndeshje për eleminatoret e Kupës së Botës. Shqipëria luan në 2 shtator në Poloni, në 5 shtator pret Hungarinë në “Elbasan Arena”, ndërsa në 8 shtator pret San Marinon gjithashtu në “Elbasan Arena”.
Lista e futbollistëve
Portierë: Berisha, Strakosha, Selmani.
Mbrojtës: Hysaj, Doka, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Mihaj, Çepele, Trashi, Mitaj, Hoxhallari.
Mesfushorë: Abrashi, Gjasula, Çokaj, Ramadani, Bare, Laçi, Roshi, Çekiçi.
Sulmues: Muçi, Balaj, Broja, Cikalleshi, Manaj, Uzuni.