Sot janë në skenën e madhe. FC Ballkani është vërtet, ashtu siç thuhet, krenaria e Kosovës, padyshim edhe e Shqipërisë, në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, por disa vjet më parë realiteti ishte krejt ndryshe. Në televizionet e Kosovës raportohej se klubi që ndodhej në kategori të poshtme paguante vetëm 180 euro rrogë për lojtarët, madje një portier merrte vetëm 30 euro mujore. Sot, Ballkani është me vite drite përpara, ndërsa përgatitet për ndeshjen në shtëpi ndaj skuadrës turke, Sivaspor. Fitorja 4-3 në Turqi i dha kryesimin e grupit, me pikë të barabarta me ekipet e tjerë nga 4. Ballkani ka fituar deri tani mbi 5 milionë euro nga kualifikimi në grupe dhe nga rezultatet, që janë 1 fitore, 1 barazim e një humbje. Daja pritet të ketë në formacion Astrit Thaçin dhe të ulë në stol autorin e një goli në Turqi, Potokun, ndërsa në sulm pritet të mbeten Korenica, Krasniqi dhe Rrahmani. Ballkani, ndërkaq, është në vendin e dytë në kampionat me 21 pikë, tri më pak sesa Drita e Gjakovës, edhe pse ekipi i Dajës nuk ka luajtur dy ndeshje pikërisht për shkak të impenjimeve europiane.
Sfidanti.al