Levandovski mund Obamejangun, Bajerni “vret” Bundesligën

Nëse kishte mbetur ndonjë gjë “gjallë” në Bundesligën gjermane, “dha shpirt” pas atij që është quajtur derbi i viteve të fundit, Bajern-Dortmund. Skuadra bavareze fitoi kaq thellë dhe kaq lehtë, saqë çarmatosi çdo kritik dhe në Gjermani duket se janë dorëzuar plotësisht në përpjekjen për ta bërë kampionatin, një konkurrim në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

Rezultati 4-1 tregoi diferencën më shumë sesa në cilësi, në aspektin e përvojës, mes bavarezëve dhe miqve nga Ruhri. Robert Levandovski, po ashtu, u duk më i pjekur për të fituar Këpucën e Artë sesa rivali i tij kryesor, Pjer-Emerik Obamejang i Dortmundit. Sulmuesi polak shënoi dy gola, një tjetër Frank Riberi dhe një holandezi Arjen Roben, pra ishte një Bajern “klasik” që realizoi rrjetat.

Trajneri italian, Karlo Ançeloti, duhet të ketë mbetur shumë i kënaqur që mori një konfirmim të gjendjes së ekipit, sidomos pas humbjes së papritur në fushën e Hofenhajmit. Dominimi ishte më shumë sesa i plotë dhe ekuilibri i kohëve të Jurgen Klopit është larg.

Bajerni dha 800 pasime ndaj 321 të Dortmundit, mbajti topin 71 për qind (?!), fitoi 57 për qind të dueleve dhe gjuajti dyfishin e kundërshtarit, 18 herë ndaj 9. Trajneri i verdhezinjve, Tuhel, por edhe klubi duhet të gjejë shkaqet e një dështimi që po thellohet, ndërsa Borusia po kalohet në hierarki edhe nga Lajpcigu dhe Hofenhajmi.

Bajerni kryeson Bundesligën me 68 pikë ndaj 58 të Lajpcigut, ndërsa Dortmundi ka 50 pikë, por besohet se do të luajë të paktën në plej ofin që të kualifikon për në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al