Nuk dihet nëse u tregua i pakujdeshëm, dhe ato fjalë i dolën padashur nga goja, apo e pati me gjithë mend që të fliste ashtu. Leonardo, drejtori sportiv i PSG-së, krijoi një stuhi mes ultrasve të klubit kryeqytetas kur deklaroi se “Parisi nuk është ende një qytet futbolli, nuk është ende Marsejë, ka mjaft gjëra për të bërë”. Leonardo, në parim mund të ketë të drejtë, por ai me gjasë ka harruar se një drejtor i PSG-së mund të jetë më i kujdesshëm, duke menduar rivalitetin e ashpër në aksin Paris-Marsejë.
Tifozët u hodhën menjëherë në sulm. “Fakti që Qyteti i Dritave (Parisi) ka shumë pasuri dhe bukuri, nuk do të thotë se ne nuk jemi qytet futbolli, dhe se ne nuk thithim PSG-në kur marrim frymë”, – shkruhej në deklaratën e tyre. Më tej, ata kritikuan duke shkruar se “zoti Leonardo nuk mendoi që të përmendte besnikërinë dhe nxehtësinë e tifozëve për PSG-në, madje edhe kur ekipi ishte në rrezik për të rënë nga kategoria, ndaj ai duhet ta mësojë më mirë historinë e klubit”. Më herët, Leonardo ka pasur përplasje edhe me trajnerin Tuhel, por tani sikur u teprua.
Sfidanti.al