“L’Ekip” flet për komplot ndaj Kavanit tek Paris SG

Në futboll shpesh kanë dëshirë të krijojnë dhe të flasin për “treshet magjike”, që janë treshet e lojtarëve të sulmit. E famshme MSN-ja tek Barcelona (Mesi, Suarez, Nejmar) apo BBC-ja tek Reali (Bejl, Benzema, Ronaldo), ndërsa po përpiqet të jetë po aq e famshme treshja MCN tek Paris SG. Këta janë Mbape, Kavani dhe Nejmar, por gazeta prestigjioze “L’Ekip” shkruan se ka “puç” edhe brenda MCN-së.

Informacionet janë që Mbape dhe Nejmar paskan bërë pakt që të mos i pasojnë topin Kavanit, në mënyrë që golat të jenë vetëm për ta. Përsa i përket penalltive, besohet se kjo gjë është vendosur nga klubi dhe trajneri Tuhel në favor të Nejmarit, duke thyer rezistencën e uruguajanit. Nuk dihet sesa do të durojë rekordmeni i golave i PSG-së përpara sesa të shpërthejë, ndërsa ka edhe një problem tjetër, që quhet Mbape. Sulmuesi i ri shënoi 4 gola ndaj Lionit, dhe nëse vazhdon kështu, do të “eklipsojë” vetë Nejmarin, pra mund të ketë luftë “civile” edhe tek dyshja aleate “MN”.

Sfidanti.al