Mekgregori me raport mjekësor, por pritet dënim për sherrin

Vendimi i parë i federatës UFC ishte dhënia e një raporti mjekësor për Konor Mekgregorin. Luftëtari irlandez mori një leje shëndetësore, të cilën ai nuk e kërkoi, por që do të thotë se për 1 muaj ai nuk mund të ndeshet apo të bëjë ndonjë veprim tjetër që ka lidhje me aktivitetet e UFC-së. “Konor Mekgregor, i pezulluar deri në 6 nëntor, nuk i lejohet kontakt (lloj stërvitjeje) deri në 28 tetor”, shkruhej në komunikatën e federatës.

Gjithsesi, kjo është gjë e vogël në krahasim me dënimin që mund të marrë nga UFC-ja dhe nga Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadës në SHBA, për rolin e tij në sherrin masiv, pas ndeshjes me Nurmagomedovin në Las Vegas. Pamjet filmike dhe deklarata të ndryshme nxorrën në pah se fajtor për sherrin nuk ishte vetëm Nurmagomedovi, as vetëm stafet teknikë të të dy luftëtarëve, por edhe vetë Mekgregori.

Sfidanti.al