Leclerc zot shtëpie në Monaco, Verstapen niset i gjashti

Ferrari ia del të fitojë një pole position, duke treguar se do t’ia vështirësojë rrugën drejt titullit Redbulli-t, ndërsa Leclerc tregon se është Zot shtëpie në Monaco. Piloti i kokëkuqes ia doli që të fitojë një pole position shumë premtuese përpara fazës së tetë të kampionatit botëror të Formula 1 me kohën 01.10.260. Pas ‘kalorësit’ të Monakos që niset i pari në vendlindje, vjen surpriza  e quajtur Oscar Piastri. Piloti i McLaren ja doli që të ndajë dy kokëkuqet, duke lënë në vendin e tretë Carlos Sainz, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Lando Norris niset i katërti. Rreshti i tretë hapet me George Russell, vetëm një e mijta e sekondës pas Norris dhe përfundon me kampioni në fuqi Max Verstappen, të cilit i kushton shtrenjtë një ‘puthje’ me parmakun në fillimin e sulmit të tij të fundit. Zhgënjim për Lewis Hamilton, i cili ishte protagonist i madh në provat e lira, por duhet të kënaqet vetëm me vendin e 7-të në nisje, duke pasur pas vetes Yuki Tsunoda me VISA Cash App Racing Bulls. Rreshti i pestë plotësohet me Alexander Albon që rikthen Williams në 10-shen e parë pas tetë vitesh dhe Pierre Gasly me Alpine.

sfidanti.al