Lebron Xhejmsi, një kampion tragjik i sportit!

Sporti është i mbushur me shembuj tragjikë të kampionëve të mëdhenj që kanë nuk e kanë vënë dot “kurorën”. Sot, më i madhi nga të gjithë është pikërisht i tillë dhe quhet Lebron Xhejms. Basketbollisti numër 1 i botës pësoi në ndeshjen e parë finale të NBA-së një humbje që simbolizon pikërisht karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht të trishtueshme.

Shifrat e tij në sfidën ndaj Golden Stejtit janë të njohura, 51 pikë në 32 gjuajtje gjithsej, 8 topa në tabela, 8 asistë, 48 minuta në fushë nga 53 në total. Lebron gaboi vetëm një gjuajtje të lirë dhe humbi topin vetëm 5 herë, tepër pak duke qenë që topi ishte në duart e tij thuajse gjatë gjithë kohës.

Ai bëri thuajse çfarë deshi ndaj mbrojtjes më të fortë të NBA-së, ndaj një dinastie që mund të jetë një nga 3-4 më të mirat e të gjitha kohëve, e krahasueshme me Bostonin e madh të Bill Rasëllit, Lejkërsat e Mexhik Xhonsonit, Bostonin e Lerri Bërdit apo Çikagon e Majkëll Xhordanit.

Trajneri i Golden Stejtit, Stiv Kerr, nuk u rezervua aspak, por tha se “ne jemi kundër një basketbollisti që po luan në nivele, që nuk jam i sigurt nëse i ka luajtur ndonjë tjetër përpara tij”. Ai që flet ka qenë shok skuadre për 4 vjet me “Madhërinë e Tij”, Majkëll Xhordanin.

Do të duhen ende disa vjet që karriera e Lebron Xhejmsit të përfundojë, por që tani ai është në nivele të jashtëzakonshme, i vetmi basketbollist në historinë e NBA-së me mbi 30 000 pikë, mbi 8 000 topa në tabela e mbi 8 000 asistë.

Lebron ka shënuar 31 038 pikë (i 7-ti në të gjitha kohët), 8 208 asistë (i 11-ti), 8 415 topa në tabela, 1 865 vjedhje (i 16-ti). Ai mund të kalojë shpejt Dirk Novickin, Uilti Çembërlenin, Majkëll Xhordanin e Kobi Brajantin, për të qenë në podium të shënuesve më të mirë në histori, pas Karim Abdul Xhabarit e Karl Malounit.

Ai ka luajtur 8 herë radhazi në finalet e NBA-së (Bill Rasëll ka 10 radhazi), por tragjedia e Lebronit është që ka fituar vetëm 3 tituj, e shpreson të fitojë të katërtin, nëse Golden Stejti do të pranojë.

Në kontrast me të, rekordin e mban Bill Rasëll me 11 tituj, Sam Xhons ka 10, shumë yje të tjerë kanë nga 8 apo 7, ndërsa të tillë si Xhabar apo Xhordan kanë 6. Për momentin, janë plot 38 basketbollistë në NBA që kanë më shumë tituj sesa Xhejmsi.

Sfidanti.al