Në Apenine janë mësuar siç duket për të vuajtur, duke qenë për shekuj inferiorë fizikisht, nga kundërshtarët, përderisa italianët nisën më vonë se perëndimorët e tjerë që ushqehen siç duhet. Nga kjo lindi edhe në futboll stili “Katenaço”, që vërtet u krijua nga një trajner zviceran, por që “terrenin më pjellor” e gjeti në Itali me Bearxotin. Edhe Juventusi shpesh ka qenë simbol i këtij mentaliteti, “qendro prapa barrikadës, dhe kundërsulmo”, dhe diçka e tillë duket se po kthehet tek “Zonja e Vjetër” me ardhjen e Masimiliano Alegrit. “Fitoi Juventusi cinik”, shkruajtën mediat italiane, që do të thotë se bardhezinjtë nuk bënë shumë, por “korrën shumë”.
Bolonja pësoi humbje 0-2 në fushën e saj, ndonëse luftoi fort dhe golin e dytë e pësoi në momentin më të mirë. Bolonja mbajti topin 58 për qind, ndonëse në gjuajtje ishte më inferiore sesa “Zonja e Vjetër”, porse pati epërsi në goditjet nga këndi dhe në totalin e pasimeve. Alvaro Morata iu përgjigj kritikave të shumta se nuk po mundet të jetë sulmuesi i duhur për ekipin e madh. Ai realizoi që në minutën e 6-të, ndërsa Huan Kuadrado “rrumbullakosi” fitoren në minutën e 69-të. Juventusi ka 31 pikë, duke mbërritur sërish Romën që fitoi më herët 4-1 në fushën e Atalantës.
Sfidanti.al