Lajmi i Bajernit nuk është fitorja, por që Levandovski nuk shënoi

Trajneri Julian Nagelsman ishte shprehur para ndeshjes se nuk do të rrezikonte aspak për sulmuesin e tij kryesor. Gjithsesi, Robert Levandovski luajti si titullar në sfidën e vështirë në fushën e Frajburgut, e cila në fund u zgjidh “për së mbari” për Bajernin. Bavarezët fituan 4-1, suksesi i dytë radhazi në kampionat pas dy barazimeve, ndërsa Nagelsmani rrezikoi përgjysmë. Koha në fushë e sulmuesit polak ishte 62 minuta, i zëvendësuar nga francezi Korenten Toliso. Polaku vuante nga një dëmtim në këmbë, që nuk ishte shumë serioz, por që Nagelsmani nuk deshi ta rëndonte sidomos në prag të ndeshjes së Championsit ndaj Vijarrealit. Bajerni synon titullin europian dhe nuk mund të lejojë që Levandovski të dëmtohet siç ndodhi vjet para ndeshjeve ndaj PSG-së. Kampionët fituan 4-1 me gola të shënuar nga Gorecka, Gnabri, Koman dhe Zabicer, ndërsa për Frajburgun barazoi përkohësisht Petersen. Levandovski nuk shënoi dhe këtë vit vështirë se do t’i afrohet rekordit të golave që e vendosi vjet në Bundesligë me 41 në një sezon.

Sfidanti.al