“La Gazeta delo Sport”: Mançini, trajneri më i mirë i Europës!

Nuk kursehen mediat italiane dhe ajo më e njohura i thur lavdet më të mëdha teknikut të kombëtares. Roberto Mançini, për “La Gazeta delo Sportin” është trajneri më i mirë i Europës ndër ata që janë në stolat e ekipeve përfaqësuese. Sipas së përditshmes me faqet me letër rozë, asnjë trajner tjetër i kontinentit nuk trashëgoi momentin aq të vështirë si Mançini, kur Italia nuk u kualifikua dot për në finalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi. Në më pak se 3 vjet e ngriti ekipin në këmbë, barazoi rekordin e dy herë kampionit të botës, Vitorio Poco, me 30 ndeshje pa humbje, ndërsa ka arritur 11 fitore radhazi madje pa pësuar gol. Italia e mbyll fazën e grupeve në Europian me 3 fitore në 3 ndeshje, siç bëri në Euro 2000 me Dino Xofin në stol. Mançini ka arritur të aktivizojë që të gjithë lojtarët me përjashtim të portierit Meret, ndërsa në dispozicion nuk ka kampionë të mëdhenj si dikur, apo që luajnë për Juventusin, Milanin dhe Interin.

Sfidanti.al