Ky është Interi i Kontes, fiton 4-0 dhe nuk di të kënaqet!

Një lojtar me uri të pashuar, dhe një trajner po i tillë. Jo më kot 65 000 tifozë shkuan me shpresë në “San Siro” për të ndjekur Interin e tyre, dhe nuk dolën aspak të pakënaqur. Me një njeri në stol që quhet Antonio Konte nuk është e mundur të mërzitesh, sidomos kur ky italian punon në Serinë A, që e njeh aq mirë. Fitorja ndaj Leçes, në ndeshjen debutuese si teknik i zikaltërve, ishte ndër më të mirat e shpresuara, një 4-0 i fiksuar pas një dominimi thuajse total, me katër autorë golash të ndryshëm, me raste të shumta dhe me presion asfiksues për kundërshtarin.

Realizuan debutuesit me fanelën zikaltër Sensi e Lukaku, madje ky i fundit në debutimin absolut në Serinë A. Sulmuesi i Belgjikës ndjek shembullin e patriotëve të tij të mëparshëm, Enzo Shifo e Raxha Naingolan, të vetmit belgë që kishin shënuar në kampionatin italian për Interin. Lukaku bëri shumë më tepër se gol, duke u kuptuar shumë mirë në lojë me shokët e skuadrës, dhe me partnerin e sulmit, Lautaro Martinez.

Gol edhe për kroatin Marcel Brozoviç, të përzgjedhur nga Konte si “njëri prej nesh”. Po ashtu, pati lavdi edhe për Antonio Kandrevën, gjashtë minuta para fundit. Konte luajti me skemën 3-5-2, diçka që e njeh mirë: Handanoviç – D’Ambrozio, Ranokia, Shkriniar – Kandreva, Vesino (Barela 66’), Brozoviç, Sensi (Galiardini 73’), Asamoah – Lautaro Martinez (Politano 78’), Lukaku. Interi ngjitet në krye të renditjes së Serisë A, me golaverazh më të mirë se Lacio, Napoli e Atalanta.

Sfidanti.al