Klopi ka vetëm një kusht për vazhdimin e karrierës tek Liverpuli

Kontrata që e lidh me “Anfildin” është e gjatë, përtej të zakonshmes. Që nga 2015-ta deri në 2022 i thonë 7 vjet dhe Jurgen Klopi është nga ata trajnerë që nuk di të tradhëtojë, por vetëm të largohet kur e sheh se nuk mund të japë dot atë maksimum që dëshiron ai. Kjo është edhe arsyeja që ai nuk dëshiron të rinovojë kontratën me të kuqtë, pavarësisht se i është kërkuar nga klubi, dhe se tifozët e adhurojnë si gjysmëperëndi.

“Kam një problem, – u shpreh ai për “Kikerin”, – nuk mund të kënaqem duke bërë pak. Unë mund të jap ose gjithçka, ose asgjë. Kjo është arsyeja që nuk dua ta lidh veten me kontratë, por dua që të jem i lirë për të marrë vendimin më të mirë. Nëse do të gjykoj se nuk mund të vazhdoj më, do të bëj pushim, dhe pikërisht këtë vit dua që të marr një vendim përfundimtar për karrierën time”. Duke qenë njeri shumë emocional, ndoshta Klopi rraskapitet në çdo ndeshje, dhe kjo mund ta pengojë të bëhet një Sër Aleks Ferguson për Liverpulin, një si Bill Shenkli apo Bob Pejsli. Gjithsesi, vështirë të mendohet se ai do të largohet pa fituar më parë titullin kampion në Premier Ligë.

Sfidanti.al