Kutinjo do të jetë blerja “galaktike” e Barcelonës, por jo vetëm ajo!

Ishim mësuar që të ishte Reali i Madridit që të shpenzonte paratë “lulë” për blerje galaktike, veçse Barcelona nuk është më pak lakmitare kur i duhet dhe kur i jepet mundësia. Katalanasit do të kenë variantin e tyre të Bejlit apo Hames Rodrigezit dhe ai quhet Filip Kutinjo. Liverpuli do të jetë i detyruar të mbetet pa brazilianin e shkëlqyer, veçse trajneri Jurgen Klop do të ketë mundësi që të përforcohet me aq shumë milionë euro sa do të marrë në këmbim.

Kartoni i Kutinjos është vlerësuar në 90 milionë euro (mediat britanike flasin për 76 milionë paund stërlina), një blerje e ngjashme me atë të Nejmarit (sipas shifrave që dolën më pas, jo atyre zyrtare). Liverpuli natyrisht mund të marrë disa lojtarë të rëndësishëm me këtë shifër.

Gjithsesi, planet e Barçës janë edhe më ambicioze se kaq. Sipas mediave katalanase, klubi ka piketuar edhe lojtarë të tjerë si yllin e Dortmundit, Marko Rojs, ish-lojtarin e Realit, Angel Di Marinë si dhe Vitolon e Seviljes. Ndërkaq, Arda Turan mund të lejohet që të largohet.

Sfidanti.al