Kush është ky Mbape? Monako udhëheq “Revolucionin Francez”!

Kur në vitin e largët 1789 rrëzohej miti i fisnikërisë nga “kombi i dyqanxhinjve” e pak më vonë rrokullisej vetë koka e mbretit, përse duhet të habitemi kur sot rrëzohen “mbretërit” e Parisit? Papritur, kampionati francez po kthehet në rrënjët e tij, kur shumë skuadra luftonin për titullin dhe për kupat e Europës. Jo më kot, gjigandë të tillë si Reimsi, Sent Etieni, Bordoja, vetë Marseja e lavdishme dhe Lioni patën ngritjen, lulëzimin dhe rënien e tyre.

A thua do t’i ndodhë kështu edhe Paris SG, “pasanikut të ri” të Ligës së Parë? Të shohim, por humbja 0-2 në “Park dë Prensis” ndaj Monakos bëri që skuadra e Kilian Mbapesë dhe Maurisio Poçetinos të mbetet 4 pikë prapa kreut, dhe 2 pikë mbi vendin e katërt. Janë pikërisht 4 ekipe që luftojnë për titullin, të paktën siç lexohet në tabelë, dhe që ndahen nga vetëm 6 pikë. Një “revolucion francez” i vërtetë. Monako e trajnerit Niko Kovaç fitoi me meritë me gola të shënuar nga Sofian Diop në 6’ dhe Gijermo Maripan në 51’. i mbiquajturi “mbreti i ri i futbollit”, pra Mbape, nuk mundi të bënte asgjë.

Franca përgjithësisht nuk i ka qejf dinastitë, dhe jo më kot për shumë kohë ka ecur përpara me parimin “gjëja e vogël është e mrekullueshme”. Sidoqoftë, nëse PSG ecën përpara në Champions, kjo do të thotë se nuk është aspak i vogël, por sepse rivalët janë bërë të mëdhenj. Lila kryeson me 58 pikë ndaj 55 të Lionit, 54 të Parisit dhe 52 të Monakos.

Sfidanti.al