Kur fiton edhe në Madrid! Mesi, numri 1 i vitit për gazetën “Marka”!

E përditshmja e kryeqytetit spanjoll nuk është një tifoze katalanase, përkundrazi. Gazeta “Marka” mund të quhet një media shumë pranë Realit, edhe pse përpiqet fort të mbajë sa më mirë paanshmërinë mes dy rivalëve të mëdhenj të “Santiago Bernabeut” dhe “Kamp Nout”. Edhe lexuesit e saj, padyshim, më së shumti janë madrilenë, veçse duket se edhe ata i përmbahen parimit “rrimë shtrembër, flasim drejt”. Në anketën e organizuar nga “Marka” për futbollistin më të mirë të botës në 2019, fitues doli “një farë” Lionel Mesi.

Kapiteni i Barcelonës, njeriu më i rrezikshëm për Realin, fitoi vlerësimin e Madridit për vitin e kaluar, duke u votuar në vend të parë, madje me diferencë të jashtëzakonshme me të tjerët. Mesi mori 59 për qind të votave, duke lënë në vend të dytë Karim Benzemanë (10 për qind), Virgil Van Dajkun (8) dhe Kristiano Ronaldon në vend të katërt me 7 për qind. Kur këtë e thonë në Madrid, nuk mund të diskutohet, ndërsa Mesi u shpall edhe fitues i Topit të Artë të “Frans Futbollit”, Lojtari më i mirë i vitit nga FIFA, dhe më i miri i Europës nga UEFA.

Sfidanti.al