Duke mos shkuar shumë larg, në Shqipëri e kanë pasur Kosovën si “yllin polar” kur vinte puna tek ligji i sponsorizimit dhe tek financimi i sportit. Në Prishtinë, “vëllai i vogël” ia ka kaluar “të madhit” në çdo drejtim, duke siguruar financim privat të sportit, si dhe financim public me fonde-grant shumë herë më të mëdha sesa në Tiranë. Gjithsesi, ëndrra është që të paktën t’i afrohesh yllit, jo që t’i largohesh. Shqipëria këtë vit bëri të kundërtën, iu largua me 64 për qind “yllit të Kosovës” pasi grantin për sportin qeveria jonë e uli nga 1.38 miliardë lekë në vit, në 500 milionë!!! Për të “ëmbëlsuar” këtë “pilulë të hidhur”, qeveria hodhi në aksion “levat e Partisë”, dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) doli në fushatë për t’i rikthyer sportit paratë e basteve sportive. Jo se kanë bërë ndonjë plan (nuk besohet se i ka lejuar kush), por premtimet nuk kushtojnë. Mesa duket tani do të shohim ëndrra jo për “yllin polar” të Kosovës, por për “paratë e basteve sportive”, të paktën aq sa të kalojë tronditja e “qethjes” së parave të sportit nga buxheti.
Sfidanti.al