Kur bën spektakël edhe skuadra e Murinjos, veçse quhet Roma!

Stili i tij ka qenë gjithnjë ai i lojës së ashpër, fizike, taktike, me presing ndaj kundërshtarit dhe me aksione vertikale. U detyrua të modifikohej deri diku tek Reali i Madridit që e ka spektaklin në gjak, ndërsa Porto, Çelsi apo Interi nuk bënin përjashtim nga rregulli. Gjithsesi, Zhoze Murinjo po provon në Itali se çfarë do të thotë të jesh trajner i Romës. Deri edhe një “gladiator” dhe besnik deri në vdekje i lojës në mbrojtje si Fabio Kapelo u detyrua të kërcente “lambadën” me verdhekuqtë që gjithnjë kanë qenë një ekip spektakolar në Itali. Kështu po i ndodh edhe Murinjos, që ka dorë në këtë skuadër sepse po punon për mentalitetin, sakrificën, përqëndrimin deri në fund dhe shumë elementë të tjerë që e kanë kthyer në një nga trajnerët më fitues në histori.

Roma fitoi 4-0 në fushën e Salernitanës duke mbajtur kreun e Serisë A, bashkë me disa skuadra të tjera me pikë të plota, ndërsa ra në sy fakti se në pjesën e parë, bëri 312 pasime (77 të suksesshme) ndaj vetëm … 26 të vendasve! Kurrë ndonjëherë një ekip i Murinjos nuk ka pasur epërsi të tillë. Gjithsesi, golat u shënuan pas pushimit, Pelegrini të parin, pastaj Veretut, Abraham e përsëri Pelegrini. “Ne nuk mundej të mos fitonim”, – ishin fjalët e Murinjos.

Sfidanti.al