Një epokë merr fund, dhe një erë e re fillon. Vllaznia, klubi më i vjetër i futbollit shqiptar, u privatizua 100 për qind, me Bashkinë e Shkodrës që informoi zyrtarisht mbylljen e procesit. Aksionet u blerë plotësisht nga Alban Xhaferi, sponsori i deritanishëm, pasi u pranua oferta e tij prej 62.5 milionë lekësh. Ankandi gjatë gjithë kohës u duk se do të përfundonte me fitoren e Xhaferit, ndonëse pati dy ofertues të tjerë, si bashkimi i kandidatëve Almiro Gurakuqi dhe “P.F. Karpathia Albania”, si dhe Shoqëria “Joni 5 shpk”.
Vlera fillestare e aksioneve, e vendosur nga Bashkia e Shkodrës ishte 50.794 milionë lekë, ndërsa ankandi nisi në 9 mars të këtij viti. Vlerën më të madhe e ofroi pikërisht “Joni 5 shpk” me 150 milionë lekë, ndërsa ofertuesi tjetër pati një shifër më të vogël sesa Xhaferi. Gjithsesi, të dy këta kandidatë u skualifikuan për probleme në dokumentacion. Në 4 qershor, komisioni i prokurimit publik në Tiranë urdhëroi pezullimin e procedurave të ankandit pas ankesës së bërë nga bashkimi i kandidatëve Almiro Gurakuqi dhe “P.F. Karpathia Albania”. Kjo e detyroi Bashkinë që të dërgonte sërish informacion në komision lidhur me ankandin, dhe pas kësaj ankesa u hodh poshtë.
Tashmë, pushteti vendor i shiti aksionet e klubit që i kishte 100 për qind të vetat, ndërsa pritet që e ardhmja të jetë më e mirë. Nën drejtimin praktikisht të sponsorit Xhaferi, Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë, dhe ishte pretendent për titull deri në javën e fundit, ndërsa kaloi një raund në Europë, në Ligën e Konferencës.
Sfidanti.al