Kukësi nuk ka shumë fat në Champions, përballet me Sherifin e Moldavisë!

Nuk mund të quhet shumë i favorshëm shorti për Kukësin në Champions. Kampionia e Shqipërisë do të ndeshet me më të fortën skuadër të Moldavisë, Sherifin e Tiraspolit. Pavarësisht ecurisë së mirë të kuksianëve vitet e fundit, moldavët janë më mirë në renditjen e UEFA-s, duke e pasur koeficientin më shumë se dy herë më të mirë se Kukësi, 11.2 ndaj 4.6. Po ashtu, në të kaluarën, ekipet shqiptare e kanë pasur të vështirë ndaj këtyre kundërshtarëve. Gjithsesi, sezoni i kaluar ishte pozitiv për ekipet shqiptare, pasi Skënderbeu e eleminoi kampionen e Moldavisë, Milsamin. Ndeshja e parës mes Kukësit dhe Sherifit do të luhet në 11-12 korrik në Moldavi, dhe ajo e kthimit në 18-19 korrik në “Elbasan Arena”.

Historik sezoni për skuadrat e Kosovës, dhe natyrisht për të gjithë shqiptarët, që tani janë plotësisht të përfaqësuar në futbollin kontinental të klubeve. Kampionia e Kosovës, Trepça’89, do të ndeshet me Vikingurin e Islandës, në raundin paraeleminator të Ligës së Kampionëve, hera e parë në histori Trepça’89 do të luajë ndaj Vikingurit në datat 27-28 dhe 4-5 korrik, në pjesëmarrjen e saj të parë në kupat e Europës, pas pranimit të Kosovës.

Sfidanti.al