Një investim prej 222 milionë eurosh mund të sjellë mrekullinë, por edhe batërdinë. Tek Paris SG, për momentin, përveç golave, asisteve dhe fitoreve, ardhja e Nejmarit ka shkaktuar edhe shumë probleme. Pas përplasjes me Kavanin për shkak të gjuajtjeve të penalltive dhe goditjeve të dënimit, erdhën lajme për pakënaqësinë e lojtarëve të tjerë për privilegjet e brazilianit, ndërsa tani dalin edhe dy elementë të tjerë.
Së pari, flitet që Nejmar nuk luajti me dashje në ndeshjen e fundit të kampionatit francez, fituar 5-0 ndaj Anzherit, në mënyrë që të ishte në formën e duhur për sfidat e Brazilit ndaj Japonisë dhe Anglisë. Nga PSG-ja u tha se Nejmari ishte i dëmtuar, por sulmuesi nuk pati asnjë problem të stërvitej me kombëtaren e tij.
Së dyti, besohet se raporti i tij me trajnerin Unai Emeri është shumë i keq. Gazeta “Marka” boton foto dhe thotë se lëvizjet e trupit të Nejmarit tregojnë gjithçka. Vëzhgimi i pamjeve filmike dhe fotove tregojnë se Nejmar i thotë trajnerit se nuk ka dëshirë që ta dëgjojë dhe se duhet t’i lerë të qetë lojtarët. Po ashtu, ai i bërtet Emerit kur nuk jep faulla në favor të tij gjatë ndeshjeve përgatitore në stërvitje. Nuk dihet si do të shkojë e ardhmja, por me probleme të tilla, vështirë që PSG të fitojë Championsin.
Sfidanti.al