Çdo ekip ka ulje-ngritje, por problem është kur dikush tjetër “fluturon”. Kështu po i ndodh Milanit (dhe jo vetëm atij), ndërsa Napoli vrapon drejt finishit i shkëputur. Pas fitores së madhe të napolitanëve ndaj Juventusit, edhe kuqezinjtë ia dhanë një ndihmë me ndalesën në Leçe. Në stadiumin buzë detit (Via del Mare), puljezët zhvilluan një ndeshje të madhe dhe fituan pjesën e parë 2-0, ndonëse nuk e morën dot fitoren. Kampionët patën karakterin të reagonin dhe të shpëtonin të paktën pikë. Nuk dihet nëse do t’u bëjë punë në fund, por më mirë që e kanë.
Kritikat për Milanin e trajnerit Pioli ishin të forta, edhe pse të përmbajtura. “Ku shkoi mbrojtja e titullit”, shkruajtën gazetat, duke fajësuar të gjithë lojën difensive, ndonëse në veçanti u “kryqëzuan” Kalulu dhe Teo Hernandez. Mbrojtja po fut ujë këto kohë, në 3 miqësore, 3 ndeshje kampionati dhe në 1 ndeshje të Kupës. Tashmë, Milani është 9 pikë prapa Napolit, ndonëse ende në vend të dytë, por me Juventusin e Interin tepër pranë.
Sfidanti.al