Fitorja 2-0 në Champions ndaj Mançester Sitit u përjetua si një apoteozë, por kaluan vetëm pak ditë dhe sot mendohet si një “flakë kashte”. Paris SG u kthye me këmbë në tokë pas humbjes në Ligën e Parë të Francës, që këto kohë është bërë për të, më e vështirë sesa Liga e Kampionve. Humbja 0-2 në fushën e Renës nuk solli ndonjë dëm të madh në renditje ku PSG kryeson bindshëm, por goditi rëndë imazhin e skuadrës së supermilionerëve, superyjeve, që u vunë përpara nga një skuadër fare e thjeshtë. Më i kritikuari nga të gjithë ishte Nejmar, aq sa u arrit që tifozët të mos e donin në formacion, dhe që mediat të nisnin sondazhet për këtë. “L’Ekip” e bëri një gjë të tillë dhe përfundimi ishte i qartë. Plot 67 për qind e tifozëve që votuan (mbi 27 000) ishin që Nejmar nuk meriton të jetë titullar, 28 për qind ishin që të mbetej në fushë, ndërsa 5 për qind nuk kishin përgjigje. Besohet se braziliani është shumë më poshtë nivelit që kishte në 2017 kur erdhi nga Barcelona, ndërsa kohët e fundit e ka ulur rendimentin fare.
Sfidanti.al