Edhe pse e quan veten “Më shumë se një klub”, e di se e ka më të vështirë sesa Reali për të marrë ata që do. Gjithsesi, tifozët e Barcelonës nuk do ta kishin menduar kurrë se skuadra e tyre e madhe, simboli i futbollit modern, do të refuzohej jo nga një, por nga dy apo tre trajnerë, derisa do të detyrohej të zgjidhte të katërtin në listë. Kike Setien, në moshën 61-vjeçare, merr një detyrë që as nuk e kishte ëndërruar dhe nuk di nëse duhet të falenderojë më shumë presidentin katalanas, Bartomeu, apo fatin për këtë që ndodhi.
Largimi i Ernesto Valverdes u bë vetëm pasi u ezauruan bisedimet, me Ksavi Hernandezin apo ndoshta me Maurisio Poçetino, ndonëse ky i fundit ishte shprehur se më mirë shkonte të punonte në fshat sesa të drejtonte rivalin e ish-ekipit të tij, Espanjolit. Tifozët e Barçës nuk dinë se çfarë të bëjnë dhe me siguri nuk janë duke u hedhur përpjetë nga gëzimi. Setien vërtet luajti futboll prej “Barcelone” tek Betisi, duke u kualifikuar për në Ligën e Europës, por nuk ka përvojë në nivele të larta, për të përballuar duele me Simeonen, Zidanin, Guardiolën apo Klopin. Kike Setien do të ketë kontratë 2.5 vjeçare, por nuk është e qartë nëse kjo do të respektohet deri në fund apo jo.
Sfidanti.al