Trajneri katalanas ka vendosur si afat dy javët e ardhshme të kampionatit. “Nëse Reali bën ndonjë gabim në dy ndeshjet që vijnë, atëherë ne kemi ende shpresë për të dalë kampion, – tha Ksavi, – nëse kjo nuk ndodh, nuk ia dalim dot dhe duhet të mendojmë për sezonin tjetër”. Tekniku i Barcelonës kënaqet gjithnjë e më shumë nga skuadra e tij, veçse e di se e mori drejtimin shumë vonë, atëherë kur rivalët në krye të renditjes ishin tepër larg. Keqardhje e madhe duke parë fitoret ndaj Realit, Seviljes, Valencias apo Atletikos së Madridit që tregojnë se Barça sot për sot është superiore.
Gjithsesi, suksesi 3-2 në fushën e Levantes ishte nga ata të vështirët, të shkëputur me “shpirt ndër dhëmbë”, por që e bindi edhe më shumë Ksavin se ekipi i tij i ka “kartat” në rregull për të fituar shpejt La Ligën. Vetëm një skuadër me mentalitet shumë të fortë, dhe shumë e bashkuar mund t’ia dalë të shënojë në minutën e 92-të, kur ka pësuar në të 84-ën me penalltinë e dytë kundër. “Pjesa e parë nuk ishte e mirë, – tha Ksavi, – ishim të lodhur, ndoshta edhe sepse luajtëm të enjten. Pas pushimit ishim më mirë”. Pas pushimit ndodhi që Ksavi aktivizoi Pedrin, që e la pushim fillimisht, ndërsa mungoi edhe Gerard Pike për shkak dëmtimi.
Sfidanti.al