Përpara ndeshjes kishte pasur disa “shkëndija” mes dy trajnerëve, dhe nuk kaloi pa gjë as përfundimi i sfidës, por gjithsesi Ksavi Hernandez dhe Diego Pablo Simeone e respektojnë njëri-tjetrin. Përpara sesa të niste dueli në “Kamp Nou”, Ksavi ishte shprehur se “tifozët nuk do të na pranonin me stilin e Atletikos”, ndërsa Simeone iu përgjigj duke thënë se “ai mendon se stili i Atletikos nuk bën për ekipet e mëdha, por tani ka rast të tregojë veten sesi duhet të luajë një skuadër e madhe”. Barça fitoi 4-2, dhe ndonëse argjentinasi tha se “ata nuk e dominuan ndeshjen”, Ksavi foli ndryshe. “Unë nuk e kritikoj Simeonen, – tha ai, – thjesht, them se e shohim futbollin ndryshe. Ka 1 000 mënyra për të luajtur futboll, ata ndihen mirë pa top, ne ndihemi keq. Po flasim për një trajner të madh, për një ekip të madh, që është kampion në fuqi. Prandaj, kjo fitore ka edhe më shumë rëndësi”.
Sfidanti.al