Derbi i Spanjës ishte i fortë, me më shumë iniciativë dhe epërsi të Barçës, që e kërkoi fitoren gjatë gjithë kohës, por me një Real që ishte gjithmonë aty. Sidoqoftë, këto kohë gjithçka po shkon në favor të katalanasve, pasi luajtën keq në Madrid për Kupën dhe fituan, e tani fituan duke luajtur mirë në La Ligë. Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti shprehu dyshime për golin e anuluar ndaj ekipit të tij.
“Ishte një ndeshje e mirë që nga minuta e parë deri tek e fundit, – tha italiani, – Nuk e fituam sepse u dha një pozicion jashtë loje për të cilin, gjithsesi, kemi dyshimet tona. Nuk është e qartë qind për qind. Nuk është se kjo ndryshon ndonjë gjë. Ndeshja u humb. Thjesht, unë nuk jam i qartë”.
Kolegu i tij “blaugrana”, Ksavi Hernandez, nuk ishte i këtij mendimi. “Pozicioni jashtë loje është diçka e qartë, – u shpreh ai, – Është një çështje shkencore, apo jo? Më habisin deklaratat e Ançelotit në këtë rast. Është apo jo pozicion jashtë loje? Këtë herë ishte pozicion jashtë loje. Përsa i përket ndeshjes, jam shumë i lumtur. Ishte shpërblimi i punës sonë gjatë javës. Mendoj se ishim më të mirë sesa Madridi”.
Sfidanti.al