Kryesuesit nuk e pëlqejnë Kupën, Barça “me frena” ndaj Realit

Një ditë më parë, Dortmundi u eleminua nga Kupa e Gjermanisë, ndërsa Liverpuli ishte larguar edhe më herët nga Kupa e Anglisë, por po ashtu edhe Juventusi në Itali. i erdhi radha Barcelonës për të treguar se kryesuesve të ligave më të mëdha të Europës nuk “u prin për mbarë” gara e dytë më e rëndësishme kombëtare.

Katalanasit nuk janë të eleminuar, madje i kanë të gjitha shanset që të kalojnë në finale, veçse barazimi 1-1 në “Kamp Nou” me Realin nuk mund të quhet rezultati më i mirë i mundshëm. Me Mesin që luajti vetëm 30 minuta, dhe jo në formën maksimale, dhe me Kutinjon si një “fantazmë”, të besuarit e trajnerit Valverde ndoshta mbetën të kënaqur që shmangën humbjen.

Malkom barazoi në 58’, avantazhin e shpejtë madrilen (6’) arritur nga Lukas Vaskez. Barça nuk pati as Usman Dembelenë, por barazimi ishte më shumë për shkak se Reali e dëshironte më shumë një rezultat, duke qenë shumë prapa në La Liga, dhe aspak i sigurt këtë sezon në Champions. Pritet ndeshja e dytë në “Bernabeu” për të vendosur, dhe për habi, Barcelona ka luajtur më mirë në Madrid sesa në fushën e saj.

Sfidanti.al