Kriza e Barcelonës në ditëlindjen e Mesit, tifozët nuk i zë gjumi!

Kur ky njeri të mbushë 32 vjeç, e gjithë bota do të qajë. Ishin këto fjalët e Zhoze Murinjos, për Lionel Mesin, dhe lotët kanë filluar, ndërsa superylli i futbollit mbushi pikërisht sot, 33 vjeç. Tifozët katalanas u pyetën nëpër rrugët e Barcelonës për idhullin e tyre, dhe ata zgjodhën golat më të bukur, ndër të cilët është padyshinm ai ndaj Getafes në Kupë, si dhe shprehën keqardhjen për formën e tanishme të skuadrës së tyre të zemrës.

Edhe pse nuk patën mundësi të mbushnin “Kamp Nou”, ata e ndoqën për 90 minuta vuajtjen e “blaugranëve” përballë Bilbaos, në ndeshjen e javës së 31-të të La Ligës. Një futboll që duket pa shpirt me stadiumet bosh, por sidomos me dekadencën e asaj që dikur ishte skuadra më e madhe në histori.

Edhe pse duhej fituar për të mos lejuar shkëputjen e Realit, Barça e pati shumë të vështirë, dhe më e keqja është se nuk kuptohet mirë se kush ka më shumë faj, filozofia e trajnerit Kike Setien, drejtuesit që kanë shkaktuar kriza pas krizash, apo yjet që janë në moshë gjithnjë e më të madhe, e gjithnjë e më të ngopur me trofe.

Pavarësisht se Mesi sot është 33 vjeç, pra jo në maksimum, sërish u desh asisti i tij që të shënohej goli i vetëm i ndeshjes, realizuar nga kroati Ivan Rakitiç. Edhe kur nuk është në 100 për qind, ky njeri mbetet shpëtimtari i skuadrës. “Ivani shpëtoi një Barcelonë rakitike, – ishte loja e fjalëve e gazetës së Madridit, “Marka”, – blaugranët shënuan një gol jashtë kontekstit të ndeshjes ndaj Bilbaos”

Barcelona doli në krye të La Ligës me 68 pikë duke qenë ende rivale e madhe e Realit, veçse loja e saj sërish nuk bind, aq sa edhe trajneri Kike Setien e pranoi se “ne nuk po gjejmë dot formën tonë më të mirë, lojën tonë më të mirë, edhe pse jemi në krye të renditjes”. Për Setienin, problemi më i madh i ekipit të tij është kur luan ndaj kundërshtarëve që qendrojnë të ngjeshur në mbrojtje.

Fatkeqësi e vërtetë për brezin e tifozëve që duhet të provojnë këtë vuajtje, dhe që i tremben ditës kur Lionel Mesi, njeriu që i ka mësuar me mrekullitë më të mëdha të futbollit, do ta mbyllë karrierën. Atëherë, me siguri Barcelona do të mbetet e shkretë.

Sfidanti.al