Kristiano Ronaldo synon të kalojë mallkimin e moshës 32 vjeç

Për pesë vite me radhë ka arritur kuotën brutale të 50 golave në një vit. Në këtë mënyrë, Kristiano Ronaldo hyri në histori dhe u bë shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve tek Reali i Madridit. I vetmi që ka pasur mesatare të njëjtë me të, ka qenë Lionel Mesi, “binjaku” i tij tek Barcelona. Gazeta “Marka” shkruan se përpara sulmuesit portugez ekziston edhe një pengesë për t’u kapërcyer, ajo e moshës 32-vjeçare.

Asnjë sulmues i së kaluarës nuk mundi të mos e ndiente këtë kapërcim të madh në jetë. As Raul Gonzales, as Hugo Sançez apo Emilio Butragenjo, dhe po ashtu as Huanito. Të vetmit që kanë shkëlqyer edhe në një periudhë të tillë të jetës kanë qenë dy sulmuesit e mëdhenj të Realit të shkëlqyer të viteve 50-60-të, Alfredo Di Stefano dhe Ferenc Pushkash.

Di Stefano luajti pas moshës 32 vjeç, shënoi 23 gola ndërsa mbushi 33, si dhe 21 kur ishte 35 vjeç. Pushkash shënoi 25 gola kur mbushi 33 vjeç, dhe vazhdoi edhe më tej me nivele të larta (28 gola dhe 26 gola në dy prej sezoneve në vazhdim). Flitet për një yll që shënoi gjithsej 700 gola në 705 ndeshje.

Ronaldo, për momentin, e ka ndjerë pak moshën dhe ka shënuar 13 gola në 19 ndeshje kampionati (vetëm 2 në Champions), edhe pse ka kohë për të shtuar sasinë në Spanjë dhe në Europë.

Sfidanti.al