Kishte 10 vjet që ai nuk i bënte ato driblime. Kështu komentoi gazeta “Marka” ndeshjen e mrekullueshme të Lionel Mesit ndaj Espanjolit. Përderisa “pleshti” kishte një dekadë pa përsëritur veten domethënë që bota kishte po kaq kohë që nuk i kishte parë këto aksione. Askush tjetër përveç tij nuk mund të driblojë 5 lojtarë kundërshtarë, madje dy herë radhazi, dhe të jepte dy asiste për golat e shokëve. Ato skena i kujtuan drejtuesve të Barcelonës se çfarë kuptimi ka ky lojtar për skuadrën dhe për klubin e tyre. Nëpër media u shkrua se tashmë kishin nisur bisedimet për rinovimin e kontratës.
Jo! Kjo nuk ka ndodhur ende, por pritet të ndodhë shpejt. Zv. presidenti katalanas, Zhordi Mestre, hodhi poshtë lajmet mediatike. “Ne nuk i kemi nisur ende bisedimet për rinovimin e kontratës së Mesit, – tha ai, – por, shpresojmë ta finalizojmë në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm”. Barça ka rinovurt me Nejmarin dhe Suarezin, mbetet edhe Mesi për të mbajtur MSN-në në “Kamp Nou”. Flitet se babai i Mesit, gjithsesi, e ka bërë një vizitë në zyrat e klubit, dhe besohet se kontrata e re do ta bëjë Leon sërish futbollistin më të paguar të botës.