Konte është fitues serial, por Totenhemi është sfida e tij më e vështirë!

Kur italiani mori detyrën tek Juventusi në 2011, “Zonja e Vjetër” kishte vetëm 8 vjet pa e fituar titullin (nëse nuk do të llogarisim kampionatet e hequra në 2005 e 2006). Më pas, tek Çelsi ai trashëgoi një skuadër që kishte fituar titullin në 2015, dhe ai ia doli në 2017 që është edhe triumfi i fundit i bluve të Londrës deri tani. Me Interin, periudha ishte pak më e gjatë, 9 vjet, por gjithsesi flitet për ekipe që kishin marrë suksese të mëdha, tituj kampion dhe nuk ishin “rishtarë”. Tek Totenhemi, Antonio Konte do të ketë sprovën e tij më të vështirë, nëse nuk do të llogarisim Sienën. Italiani u prezantua si trajner i Spërsave me kontratë 18-mujore, me të drejtë zgjatjeje edhe një vit dhe me rrogë 13 milionë paundë në sezon. Totenhemi vërtet arriti finalen e Championsit në 2019 ndaj Liverpulit (humbi 0-2) me trajnerin Poçetino, por titullin në Angli e ka fituar për herë të fundit në 1961, dhe gjithsej ia ka dalë 2 herë. Presidenti Daniel Levi i ka premtuar 150 milionë paundë stërlina për blerje, por gjithsesi a do të mjaftojë kjo për të “blerë” historinë? Në një ligë ku luajnë Çelsi, Liverpuli, Mançester Siti apo Mançester Junajtidi, duket e vështirë që Konte ta fitojë titullin, por ku i dihet. Nëse do t’ia dalë, ky do të ishte triumfi i tij më i madh.

Sfidanti.al