Mançester Junajtidi luan pas pak orësh në stadiumin e Atalantës dhe duket se atmosfera është kthyer në atë që duhet, veçse problemet mbeten. Jo vetëm që kritikat nuk kanë reshtur plotësisht, qoftë edhe për vetë Kristiano Ronaldon (që nuk punon sa duhet për ekipin), por edhe sepse fitorja në fushën e Totenhemit nuk mund të bëjë të harrohen ato që ndodhën me Leisterin dhe Liverpulin. Për më tepër, trajneri Ole Gunar Solskjer ka edhe problemin që disa lojtarë është i detyruar t’i lerë në stol për shkaqe taktike. Të tillë janë Pol Pogba dhe Xhejdën Sanço, ndër më të vlerësuarit dhe të talentuarit e ekipit, dhe kjo sepse skema ndaj Totenhemit ishte 5-3-2, me dyshen e sulmit Ronaldo-Kavani. “Kur je në një ekip të tillë, nuk ke kohë që të ankohesh, por vetëm duhet të ndihmosh skuadrën me shembullin personal, – thotë norvegjezi, – edhe kur nuk je në formacion, duhet të ndihmosh shokët, t’i përkrahësh ata, po ashtu të japësh maksimumin kur hyn në fushë”.
Sfidanti.al