Kombëtarja luan në Varshavë ndaj Polonisë për Europianin!

Të zotët e shtëpisë e përcaktuan vendin se ku do të na presin. Kombëtarja shqiptare do ta luajë në Varshavë ndeshjen eliminatore të Kampionatit Europian. Kështu deklaroi presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezari Kulesha, i cili informoi se sfida e 27 marsit do të jetë në Stadiumin Kombëtar në kryeqytet. Presidenti u shpreh se stadiumi kryesor i vendit është me fat për kombëtaren polake, e cila mund të luajë përpara një numri të madh tifozësh.

Ndeshja është përcaktuar në orën 20:45, dhe vendasit duan ta nisin siç duhet aventurën europiane. Kombëtarja shqiptare luajti në Stadiumin Kombëtar në Varshavë edhe në shtator të vitit 2021, duke humbur me shifrat 4-1 edhe pse zhvilloi një lojë mjaft të mirë. Ekipi përfaqësues do të nisë në 27 mars në Poloni fazën eliminatore të Europianit të vitit 2024, duke luajtur ndeshjen e parë në grup. Problemet do të jenë të mëdha sepse shumë lojtarë janë të dëmtuar, ndërsa disa të tjerë nuk po aktivizohen sa duhet në ekipet e tyre në ligat europiane.

Sfidanti.al