Kombëtarja kthehet te “mielli i misrit” me lojtarët dhe trajnerin

Mjaftoi që Kosova të njihej nga FIFA dhe UEFA që Shqipëria të merrte një goditje thuajse fatale. Kombëtarja kuqezi ka gjithnjë e më pak mundësi të tërheqë talente me origjinë shqiptare nga Kosova, dhe të formuar në Europë, pasi në “pole position” për momentin është vetë përfaqësuesja më e re e kontinentit. Nëse shikon Rashicën, Zenelin apo Zhegrovën, kupton se çfarë ka humbur Shqipëria.

Dikur, në vitet 60-të, trajneri i guximshëm (dhe i zgjuar) i Tiranës, Lym Alla, thoshte se “nuk bëhet bukë gruri me miell misri”. Për fat të keq, kombëtarja po kthehet te “mielli i misrit” shumë më tepër sesa në kohën e Lym Allës, pasi atëherë të paktën kampionati krijonte lojtarë si Pano, Halili, Mema, Frashëri apo Zhega. Sot kjo, thuajse nuk ndodh.

Për ngushtësi financiare, do të jemi tek “mielli i misrit” edhe me trajnerët, pasi kush mund të vijë në stolin e një kombëtareje të vogël dhe me rrogë jo aq të lartë? De Biazi qëlloi “bingo”, por fati nuk është gjithnjë në anën tonë, sepse ose do të vijnë legjenda mbi 70 vjeç si Oto Bariç (apo tani Edi Reja), ose trajnerë që nuk kanë pasur stabilitet në Itali.

Sfidanti.al