Blini bileta për Jordaninë… ose gërvish dhe fito !

Jetojmë në kohën e mediave sociale, marketingut dhe inteligjencës artificiale dhe është normale që edhe futbolli të bëhet pjesë e këtij tregu të madh interesash financiare, politike, ekonomike dhe sociale. Në FSHF këtë e kanë kuptuar në momentin e duhur, sepse të bësh marketing me Kombëtaren mesa duket është mënyra më e mirë për të mbuluar gafat dhe gabimet e së shkuarës së afërt.

Në ndeshjen me Letoninë, institucioni në fjalë nisi një fushatë agresive për të bindur tifozët t’i bashkoheshin skuadrës në stadium dhe, si për ironi, thirrja vinte në rrjetet sociale me postime të paguara me paratë që vetë FSHF grumbullon nga tifozët në shkallë.

Përjashtimi i tifogrupeve, dalëngadalë deri në pastrimin e plotë të shkallëve edhe nga ata pak zëra të fortë, është një autogol që mesa duket FSHF kërkon ta rikuperojë me marketing për të mos e lënë skuadrën jetime në ndeshjet e shtëpisë. Pasi me “dhunë” arriti të ngjyroste kuqezi stadiumin në sfidën me Letoninë, ku në ndihmë i erdhi edhe vendimi i FIFA-s për boshatisjen e një sektori, tashmë halli është ndeshja me Jordaninë.

Lloj-lloj shpikjesh po shikojmë këto ditë në rrjetet sociale për të ftuar tifozët të ndjekin miqësoren me Jordaninë, a thua se futbolli është një lojë marketingu dhe PR-i, ku fotot dhe videot vlejnë më shumë se magjia e lojës apo një gol nga jashtë zonës. Ndoshta në kullën e fildishtë të futbollit kanë mësuar si të punojnë me reklamat, por problemi i tyre i madh është fanella, të cilën sot shumë tifozë nuk e veshin më sepse masa që u servirin është shumë e ngushtë dhe jo të gjithë mund ta mbajnë në trup.

Kjo fanellë dhe vetë futbolli i Kombëtares nuk u përket më njerëzve… por një grupi njerëzish me ide “gjeniale” marketingu.

Pirro Bardhyli