Kombëtarja humb “pjesët” ndaj Anglisë, kundër Andorrës luajmë me -8 lojtarë!

Nuk humbëm vetëm një ndeshje. Kombëtarja shqiptare doli edhe me pasoja të tjera nga përballja me “tre luanët” në Londër, e pritet të ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjen e fundit në grupin eleminator të Botërorit. Kundër Andorrës në 15 nëntor, trajneri Reja mund të mos ketë në dispozicion 5 lojtarë për shkak dëmtimesh e pezullimesh. Mesfushori Keidi Bare e mbrojtësi Marash Kumbulla u dëmtuan që në minutat e para në “Uembli” dhe u detyruan të dilnin nga fusha, e mund të mos mos jenë të gatshëm këtë të hënë. Mesfushori Klaus Gjasula dhe sulmuesi kryesor Sokol Cikalleshi morën kartonë të verdhë përballë anglezëve dhe do të jenë të skualifikuar. Sulmuesi tjetër, Armando Broja, është në dyshim të fortë pasi u la në tribunë në “Uembli” dhe nuk dihet nëse mund të jetë gati për formacionin ose të paktën për t’u ulur në stol. Kombëtarja kishte edhe mungesa të tjera që përpara ndeshjes me Anglinë, pasi Gjimshiti e Balliu ishin të dëmtuar, dhe Manaj po ashtu nuk u thirr sepse nuk është në formë. Pritet që Reja të mendojë sërish për Manajn, ndërsa në ekip mund të jetë edhe Ernest Muçi nga Shqipëria U21.

Sfidanti.al