Problemet janë të shumta dhe duan një zgjidhje. Kombëtarja shqiptare do të vazhdojë me mungesa, për shkak të dëmtimeve dhe të mungesës së aktivizimit, dhe kjo e ka detyruar trajnerin Silvinjo që të mendojë për alternativa. Një rikthim i madh mund të jetë ai i Armando Sadikut. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit informojnë se braziliani kërkon lojtarë që luajnë në skuadrat e tyre, dhe Sadiku është njëri prej tyre, madje duke shënuar jo pak gola në Ligën e Dytë në Spanjë për Kartagjenën. Silvinjo mund të thërrasë 31-vjeçarin përderisa Broja është i dëmtuar dhe Manaj për momentin pa skuadër.
Një shqetësim edhe më i madh lidhet me portën, pasi Etrit Berisha dhe Strakosha nuk po aktivizohen, madje kapiteni është përjashtuar për momentin nga ekipi i tij, Torino. Zgjidhja mund të jetë Elhan Kastrati, që po vazhdon me paraqitjet shumë të mira edhe pse në nivelin e dytë në Itali, në Serinë B për Çitadelën. Forma e 26-vjeçarit ka qenë vazhdimisht shumë e mirë, ndërsa mund të thuhet se portieri është në moshën e pjekurisë. Problem më vete është mesfusha ku Keidi Bare është i dëmtuar, ashtu si Klaus Gjasula. Silvinjo pritet të konsiderojë thirrjen e Eduart Rocës që është kapiten i Istanbulsporit në Superligën e Turqisë, ku luan vazhdimisht duke qenë një nga më të mirët për ekipin e tij.
Sfidanti.al