Nëse do ta shikojmë gotën gjysmë plot, edhe mund të jemi të kënaqur. Një Shqipëri e mirë pësoi humbje minimale në fushën e Islandës, në eleminatoret e Europianit, ndërsa trajneri Edi Reja tregoi në debutim se arriti t’i jepte moral dhe lojë ekipit tonë përfaqësues. Në një përballje të fortë, ku skuadra shqiptare do të kishte merituar pa asnjë mëdyshje të paktën barazimin, gjithsesi triumfuan vendasit, të cilët u treguan më të mirë se ne vetëm në një element të futbollit, në shënimin e një goli.
Reja bëri zgjedhjet e tij, sipas parimit “luan ai që ka formë më të mirë”. Kjo la në stol Sadikun, ndërsa në mbrojtje u ndjenë mungesat e Mavrajt të pezulluar, dhe të Gjimshitit të dëmtuar. Formacioni shqiptar krijoi disa mundësi shënimi, por kryesorja ishte që luftoi shumë, zotëroi jo pak topin dhe shpesh herë e qarkulloi mirë atë. Nuk u godit moralisht nga goli I pësuar papritur, në minutën e 26-të nga Gudmunson, por vazhdoi përpjekjet deri në fund.
A mund ta shohim me optimizëm të ardhmen pas kësaj sfide? Edhe mundet, veçse nuk duhet harruar se u mundëm përballë një rivali që kishte arritur vetëm një fitore në 16 ndeshjet e fundit që nga qershori I vitit të kaluar, madje duke pësuar plot 10 humbje.
Edi Rejën e pret një punë e madhe për të krijuar një kombëtare që t’i afrohet sado pak asaj të De Biazit që u kualifikua për në Euro 2016. Për momentin, në eleminatoret e këtij Europiani kemi një fitore me Andorrën, dhe dy humbje, ndaj Turqisë dhe pikërisht Islandës.
Islandë-Shqipëri 1-0 (Gudmunson 26’)
Islanda: Haldorson, Hermanson, R. Sigurdson, Gudmunson, Bjarnason, G. Sigurdson, Gunarson, Kjartanson, Skulason. Tr. Hamren
Shqipëria: Berisha, Dermaku, Veseli, Ismajli, Hysaj, Lenjani, Basha, Abrashi, Xhaka, Cikalleshi, Balaj. Tr. Reja
Sfidanti.al