Jo vetëm Sarrin, Fali Ramadani po pasuron edhe Frankfurtin!

Ajntrahti i Frankfurtit i ka varur shpresat për të bërë para të madhe tek një menaxher futbolli me bazë në Berlin. Është Fali Ramadani, shqiptaro-gjermano-maqedonasi i lindur në Tetovë, njeriu që gjithashtu po negocion kalimin e Mauricio Sarrit nga stoli i Çelsit tek ai i Juventusit.

Ramadani ishte agjenti që ndërmjetësoi transferimin e bujshëm të Luka Joviçit nga Frankfurti tek Reali, një marrëveshje që shkon deri në 65 apo 67 milionë euro të paguara nga spanjollët tek gjermanët. Vetë Ramadani padyshim që ka marrë pjesën e tij të rëndësishme.

Gjithsesi, tetovari ka në kontratë edhe dy lojtarë të tjerë të Ajntrahtit, përveç serbit Joviç. Ata janë serbi tjetër Filip Kostiç dhe kroati Ante Rebiç. Ky i fundit u mor nga Frankfurti për vetëm 2 milionë euro, ndërsa tani vlera e kartonit është ngjitur në 40 milionë euro. Thuhet se Niko Kovaç e kërkon patriotin e tij tek Bajerni, diçka që mund të ndodhë herët a vonë.

Kostiç, ndërkaq, vlerësohet lart nga trajneri Adi Hyter, dhe në maj nënshkroi një kontratë 4-vjeçare me klubin, në mënyrë që të mos largohej. Ai shënoi 6 gola dhe shërbeu 10 asistë në Bundesligë këtë sezon. Nëse të gjithë keta transferime ndodhin (ashtu si ai i Joviçit), atëherë Ajntrahti do të merrte 127 milionë euro, ndërsa për të tre lojtarët shpenzoi vetëm 15 milionë. Këtu, meritë të veçantë padyshim që ka edhe Fali Ramadani.

Sfidanti.al