Kënga ushtoi në Arenën e Oklendit në fund të ndeshjes së katërt finale, por nuk ishin tifozët vendas që po gëzonin. Një “minoritet” i ardhur nga Veriu po jetonte mbrëmjen e jetës, menjëherë pasi Toronto mundi Golden Stejtin vendas 105-92 dhe mori një epërsi 3-1 në finalen e NBA-së. “O Kanada” është kënga e njohur për kanadezët, dhe ajo mund të ushtojë shumë më fortë në Arenën e Torontos, pas pak ditësh, kur Raptorsët mund të sigurojnë titullin e parë në historinë e klubit, të parin për Kanadanë në basketbollin e Amerikës së Veriut.
Koui Leonard po bën realitet atë që nuk mundi ta arrinte tek San Antonio e famshme e Greg Popoviçit, dhe ishte sërish një udhëheqës. Ai shënoi 36 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, duke shtuar vetëm 2 asistë, por 4 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Për fat, ai u mbështet fort nga Paskal Siakam, Kajl Louri e Serg Ibaka, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha qendra spanjolle Mark Gasol, si dhe Fred Vanvlit.
Ç’po ndodh me kampionët? Golden Stejti e pati në parket kapitenin Klej Tompson, të kthyer nga dëmtimi, dhe ai luajti shumë mirë duke shënuar 28 pikë, me 6 gjuajtje tripikëshe. Stefën Kërri nuk ishte keq, dhe pati 27 pikë, por gaboi shumë në gjuajtje, ndërsa vetëm Drejmond Grin ishte në lartësinë e detyrës, nga pjesa tjetër e skuadrës. Ai ishte pranë një tripëll dabëlli (10 pikë, 9 tabela, 12 asistë). Vendasit ishin deri në 12 epërsi në pjesën e parë, por fitorja u shpëtoi nga duart.
Shpresa e vetme ndoshta është kthimi më në fund i Kevin Durantit, për ta ndihmuar ekipin në momentin më të vështirë. Siç theksuan pas ndeshjes Kërri e Grin, Golden Stejti ka qenë në fitore 3-1 në të kaluarën dhe ka humbur titullin, pra këtë herë mund të ndodhë e kundërta. Veçse, ai që ua mori atë titull quhej Lebron Xhejms, pra kampionët duhet të imitojnë Lebronin që t’ia dalin.
Sfidanti.al