Një tronditje e madhe në futbollin holandez: Ajax-i ka humbur praktikisht titullin kampion pas një barazimi dramatik 2-2 ndaj Groningenit, me gol të pësuar në minutën 90+9’. Ky ishte rezultati që i zbriti ata në vendin e dytë në tabelën e Eredivisie, një pikë pas PSV-së, që po fluturon drejt titullit me gjashtë fitore radhazi. Vetëm katër javë më parë, Ajax ishte në krye me nëntë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, PSV. Por gjithçka u rrëzua si një kështjellë rëre:
- Humbje 0-4 ndaj Utrecht
- Barazim 1-1 me Sparta Rotterdam
- Humbje 0-3 në shtëpi ndaj NEC
- Barazimi fatal 2-2 ndaj Groningen
Atmosfera në dhomën e zhveshjes ishte tronditëse. Anton Gaaei, mbrojtësi i Ajax-it, rrëfeu për ‘Ajax Life’: ‘Është një nga ditët më të këqija të sezonit. Pati lot në dhomën e zhveshjes. Është një ditë e tmerrshme.’ Kur u pyet se si u shpërdorua një avantazh prej 9 pikësh, Gaaei shtoi:
‘Nuk kam asnjë shpjegim… Ky është futbolli. Çdo gjë mund të ndodhë. Ne dhamë gjithçka, secili lojtar e bëri punën e vet. Nuk di çfarë të them… Bëmë një sezon të jashtëzakonshëm deri tani.’
Edhe Mika Godts, sulmues i Ajax-it, foli për trishtimin në ekip:
“Trajneri u përpoq të na ngushëllonte, sepse kemi një ndeshje të fundit për të fituar. Por të gjithë janë të shkatërruar.’ Trajneri Francesco Farioli, që ishte afër të shkruante histori në sezonin e tij të parë, pranoi situatën e rëndë:
“Futbolli është një lojë e çuditshme. Në javën e fundit mund të ndodhë çdo gjë.” Ai u dha një ditë pushim lojtarëve, për t’u rikuperuar emocionalisht.
Gara për titullin në javën e fundit, të dielën, ora 13:30:
- Ajax vs Twente
- PSV vs Sparta Rotterdam
Nëse Ajax dhe PSV barazojnë në pikë në fund të sezonit, titulli shkon për PSV-në, për shkak të diferencës së golave:
- PSV: +62 (100 gola të shënuar, 38 të pësuar)
- Ajax: +33 (65 gola të shënuar, 32 të pësuar)
sfidanti.al