Vinicius e tepron me kërkesat, “ngec” rinovimi me Realin

Ka ngecur rinovimi i Real Madrid me sulmuesin Vinicius Junior. Sipas raportimeve nga Spanja, bisedimet mes palëve nuk kanë avancuar gjatë javëve të fundit, pavarësisht optimizmit fillestar për një marrëveshje të re. Kontrata aktuale e futbollistit brazilian është e vlefshme deri në vitin 2027, por Real Madrid synon të ndryshojë termat ekonomikë të saj për të reflektuar kontributin dhe statusin e lojtarit në skuadër. Megjithatë, kërkesat financiare të përfaqësuesve të tij kanë rezultuar më të larta se pritshmëritë e klubit madrilen. Oferta e parë e agjentit të lojtarit, është refuzuar nga drejtuesit e Realit. Më vonë, kërkesat janë rritur në rreth 30 milionë euro neto në vit, duke përfshirë edhe bonuset, shumë që tejkalon ndjeshëm ofertën aktuale të Realit prej rreth 20 milionë eurosh në vit. Aktualisht, Vinicius përfiton 17 milionë euro në sezon, shifër që e vendos atë në nivel të ngjashëm me lojtarë si Mbappe dhe Belingham, i cili gjithashtu ka rinovuar së fundmi kontratën e tij.

sfidanti.al