Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF publikoi vendimet e radhës ku vëmendja më e madhe shkoi sigurisht për ngjarjen e shëmtuar të Fierit ku një tifoz i Vorës goditi më stol në kokë arbitrin e katërt duke i rrezikuar edhe jetën. Dashje pa dashje, vdekja tragjike e Dwamena e eklipsoi disi këtë episod që gjithsesi gjeti hapësirë në media falë rrjeteve sociale dhe portaleve që e përhapën me shpejtësi. Në video duket qartë sjellja barbare e një tifozi mik që në gjaknxehtësi e sipër godet nga shkallët arbitrin e ndeshjes duke i rrezikuar jetën por për FSHF dhe zyrën vasale të saj, nuk është mjaftueshëm që në këtë rast, klubi mik të marrë një dënim shembullor e madje grotesku shkon deri atje sa dënohet me gjobë edhe Apolonia pritëse për shkak të mosmarrjes së masave të sigurisë, a thua se klubi fierak kishte hyrë në kokën e mbështetësit vorak i cili e kishte ndarë mendjen për të ngopur dëshirën e tij për të parë gjak në fushë. Në këtë mënyrë, koka e arbitrit të katërt të ndeshjes vlen vetëm 4 ndeshje me dyer të mbyllura për Vorën.
Ja vendimi i Disiplinës për këtë rast;
- FK Apolonia, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të neneve 17/1/b, 17/1/c dhe 17/1/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- KF Vora, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, duke shkaktuar dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe duke hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 3/b, 17/2/a, 17/2/b, 17/2/f, 17/2/h dhe 35 të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Nga Pirro Bardhyli