“Kohë kioskash” në “Arenën Air Albania”, pranë selive të Dukës e të Ramës!

Koha e kioskave të dikurshme ka ikur e ka shkuar me vakt, por ne nuk heqim dorë. Shkelja e ligjit për përfitim vazhdon të mbetet kulturë në Shqipëri dhe kjo gjë po rrezikon zhvillimin e ndeshjes me Anglinë në “Arenën Air Albania”. Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ku i kërkon të ndërhyrë për të prishur ndërtime të paligjshme të bizneseve private në ambientet rreth e rrotull stadiumit.

Kjo kërkesë, që i është dërguar bashkërisht edhe inspektoriatit të Bashkisësë së Tiranës, dhe për dijeni kryeministri Rama, thekson se ndërtimi i strukturave metalike dhe të betonit nga bizneset pengon punën e “Arenës Air Albania” dhe rrezikon ndeshjen eleminatore të Kupës së Botës ndaj Anglisë në 28 mars në Tiranë. Theksimi është se rrezikohen standardet e sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare, madje edhe për çdo ndeshje tjetër.

Federata duhet pyetur se përse kërkesa u bë kaq vonë, vetëm 10 ditë para ndeshjes, ndërsa vetë ajo ka problemet që ka shkatuar me fushën. Skandali është i plotë që kjo shkelje e ligjit ndodh në qendër të kryeqytetit shqiptar, fare pranë ndërtesës së kryeministrisë apo të institucioneve të tjera shtetërore në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, si dhe jo larg selisë së FSHF-së. “Arena Air Albania”, me kosto totale ndoshta 60-70 milionë euro, nuk po lihet e qetë nga problemet, pasi përpara ndërtimeve të paligjshme, ishte shqetësimi për cilësinë katastrofike të fushës, e cila po përpiqet të sillet në parametra normale të paktën për Anglinë.

Sfidanti.al