Kohë gjyqesh tek Interi, mediat dhe tifozët sulmojnë Antonio Konten!

Ka nisur stuhia, dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Kohë larjesh hesapesh tek Interi pas humbjes me Realin në Champions, dhe duket se pasojat mund të bien mbi trajnerin Antonio Konte. Edhe pse klubi nuk ka bërë asnjë koment, atmosfera është e rëndë pasi u dështua në provimin e parë të madh të sezonit, dhe mund të thuhet se njëri nga objektivat është larguar që tani.

“Përse Konte  futi Lukakun dhe Eriksenin vetëm 4 minuta para fundit, – pyet në formë gjyqi “La Gazeta delo Sport”, që i bën jehonë zemërimit të tifozëve interistë pas kësaj humbjeje. Një vendim që ngjan si një poshtërim”. Gazetari i njohur si tifoz i Interit, Enriko Mentana, sulmon trajnerin, duke bërë një krahasim me kryeministrin e Italisë, që ka të njëjtin mbiemër, Konte. “Antonio dhe Xhuzepe janë njësoj, – shkruajti ai me ironi, – kur janë në ekipin Shpresa janë të paprekshëm, por tani sa shumë njerëz duan që ata të largohen”.

“Reali është në një nivel tjetër, – pohoi trajneri, – ne duhet ende të rritemi, të piqemi. Gjithsesi, nuk po luanim ndaj një kundërshtari dosido, por ndaj Realit. Nuk duhet të dorëzohemi, unë kam besim te kjo skuadër, dhe vetëm duke punuar do të ecim në rrugën e duhur”.

Madrilenët fituan pa dy ikonat e tyre, Sergio Ramosin dhe Benzemanë, pra vërtet ishte kaq i dobët Interi? “Ne vërtet e merituan fitoren sepse luajtëm më mirë, por Interi nuk është aspak një skuadër e keqe, – theksoi trajneri i Realit, Zidan, – pati momente kur na vuri në vështirësi, por ne kemi shumë përvojë. Jam i lumtur për djemtë”.

A mund të kualifikohet Interi?  Po, nëse i fiton dy ndeshjet e mbetura me Mynshengladbahun në Gjermani dhe Shahtarin në Milano, dhe nëse Reali i fiton dy ndeshjet e veta.

Sfidanti.al