Këpuca e Artë e Europës, Mesi rrezikohet nga … Beloti!

Trajneri i tij (shpesh gjaknxehtë), Sinisha Mihajloviç, nuk është nga ata që kënaqen lehtë. Drejtuesi teknik i Torinos e kishte thumbuar sulmuesin e tij më të mirë, se “ndonjëherë ndodh që e nxjerr topin jashtë, kur e ka më të lehtë ta fusë në portë”. Gjithsesi, Andrea Beloti, nuk vonoi shumë ta nxirrte të gabuar trajnerin e tij dhe serbi me siguri nuk është se ka mbetur keq. Me tre gola në portën e Palermos, “Gjeli” u shkëput në krye të renditjes së shënuesve të Serisë A, me 22 rrjeta, tre më shumë sesa Xheko e Higuain, që nuk realizuan këtë javë.

Veçse, ambiciet duket se janë më të mëdha. Sulmuesi i ri i Italisë është golshënuesi i dytë më i mirë në kampionatet e Europës, pas “një farë” Lionel Mesi. Argjentinasi i Barcelonës ka shënuar 23, pra vetëm një rrjetë më shumë dhe gara pë Këpucën e Artë është e hapur. E vërteta është që Edinson Kavani ka realizuar më shumë, 27 gola, por koeficienti i ligës franceze është 1.5 (40.5 pikë), ndërsa La  Liga dhe Seria A e kanë 2.

Pra, Mesi kryeson me 46 pikë, dhe Beloti e ndjek me 44. Me interesimin gjithnjë e më të madh të klubeve të kontinentit, trajneri Mihajloviç është shprehur se klauzola e shitjes së kartonit të Belotit duhet të bëhet më e madhe se 100 milionë euro. Presidenti Urbano Kairo nuk ia prishi. “Në këtë moment, do të thosha 150 milionë euro”, – u shpreh ai.

Sfidanti.al